Shqipëria gjendet në një terren relativisht të thyer, të përshkruar nga një sërë lumenjsh, nga Jugu në Veri, nga Lindja në Perëndim. Rrugët e shumta të ndërtruara për komunikim mes zonave, krahinave, fshatrave, janë të lidhura me një sërë urash të rënëdësishme, një pjesë e të cilave kanë shekuj që janë ndërtuar e që i kanë rezistuar çdo kohe.
Këto ura u shërbenin jo vetëm banorëve në jetën e tyre të prëditshme, por edhe karvaneve dhe tregjeve të vendit. Ato janë ndërtuar prej guri e prej lënde druri.
Mjaft prej tyre, me kalimin e kohës janë rrënuar, por disa ruajnë vetëm gjurmët apo emrin e tyre në popull. “Mapo.al” sjell një fotogaleri të disa prej urave të vjetra më të njohura të vendit.
Urat janë ndërtime të përbashkëta të popullit të një katundi, lagjeje e fisi prandaj dhe baza materiale sigurohej bashkarisht, ndërsa vlera e punës u paguhej mjeshtrave nga persona të ndryshëm.
Vendi për ngritjen e urës është zgjedhur shkëmbor me brigje të larta ose të ulta, ku janë hapur dhe themelet e këmbëve të urës. Më tej është ngritur armatura, mbi të cilët janë ndërtuar qemerët e urës.
Gurët, me të cilët janë ndërtuar urat janë gëlqerorë, ranorë apo shpani (çmërsi). Gurët i janë nënshtruar daltimit dhe kanë formë kuadratike të rregullt, me përmasa 50-60 cm gjatësi, 40-45 cm gjerësi, 15-20 cm trashësi.
Urat e gurta u ndërtuan në përshtatje me kushtet ekonomike dhe historike të kohës. Ndërtimi i tyre u kushtëzua me lulëzimin e tregut dhe të rrugëve që rriheshin nga karvanet.
Koha e ndërtimit të shumicës së urave përkon me shek. XVII dhe fillimin e shek. XIX, kur lulëzuan dy pashallëqet e mëdha shqiptare ai i Bushatllinjve të Shkodrës dhe ai i Janinës.
Me ndërtimin e rrugëve automobilistike, në vitet ’30 të shek. XX, karvanet e humbën krejtësisht rëndësinë. Kështu vertëm pak ura e kanë ende atë rëndëssinë e tyre të hershme. Gjithsesi ato janë shpallur “Monumente kulture” që mbrohen nga shteti. Fotografitë janë bërë në kohë dhe fotografë të ndryshëm./F.S./Mapo.al/